Shoqata e Alumni të Universitetit të Prishtinës


Duke qenë pjesë e Alumni UP je më afër mundësive!

Bashkohu me Alumni

Vjosa Osmani

I nderuar Kryeministër Kurti,

I nderuar Rektor Hajrullahu,

Të nderuar profesorë dhe profesoresha,

Të dashur studente e studentë,

Ka diçka thellësisht të bukur e domethënëse në rikthimin e një një ish studenteje e pastaj ligjëruese në universitetin e vet, në vendin ku ëndrrat morën drejtim, ku idealet u formësuan dhe ku filloi rrugëtimi që të çon drejt shërbimit ndaj vendit.

Të rikthehesh këtu, në Universitetin e Prishtinës, jo më si studente, por për të pranuar një nder nga vetë tempulli i dijes që të rriti, është një emocion që nuk përshkruhet lehtë.

Për mua, Universiteti i Prishtinës ka qenë dhe është hapësirë e lirisë së mendimit, e debatit, e kërkimit të së vërtetës.

Këtu kam qenë studente që mësova jo vetëm nga librat, por edhe nga guximi i një gjenerate që besonte se dija është arma më e fortë për ta ndryshuar vendin.

Në këto amfiteatro, më vonë, pata privilegjin të jem edhe ligjëruese, të ndajë me studentët e rinj përvojat, idealet dhe dashurinë për drejtësinë, demokracinë dhe shtetin.

Këto dy fate, ai i studentes dhe ai i ligjërueses janë dy rrugë që më kanë formësuar si njeri, si profesioniste dhe si Presidente e vendit tim.

Si studente, mësova të ëndërroj, si ligjëruese, mësova të frymëzohem nga studentët e mi, ndërkaq si Presidente, çdo ditë  veproj me përgjegjësi për realizimin e atyre ëndrrave që lindën pikërisht këtu.

Dija është pasuria më e madhe që mund t’i japim Kosovës. Ajo është valuta më e qëndrueshme në çdo kohë dhe bileta jonë e sigurt drejt konkurrencës së ndershme në tregun e Bashkimit Evropian dhe atë botëror. Universiteti jonë, profesorët dhe studentët janë shtylla e këtij procesi, duke dëshmuar se Kosova nuk është vetëm pjesë e Evropës gjeografikisht, por intelektualisht dhe për nga vlerat. Cdo profesor qe përqon dijen me integritet e profesionalizëm dhe cdostudent që cdo ditë kërkon dijen, ndërtojnë një shtyllëtë re e të fortë mbi të cilën qëndron suksesi i shtetit dhe i shoqërisë sonë.

Të rinjtë tanë janë shpresa më e madhe e këtij vendi. Ata janë e tashmja që po ndryshon realitetin tonë çdo ditë. Me pasionin, dijen dhe guximin e tyre, po i japin Kosovës një profil të ri, atë të një shoqërie që mendon lirshëm, që konkurron ndershëm dhe që beson në të nesërmen.

Investimi në dije është investimi më fisnik, të cilin mund ta bëjë një shtet. Njëkohësisht është edhe investimi më i menqur, sepse nuk ka asnjë shtet që ka arritur zhvillim të qëndrueshëm ekonomik pa përqëndruar investimet fillimisht në arsim. Shteti qëinveston në arsim, investon në stabilitet, zhvillim dhe dinjitet.

Prandaj, Çmimi “Alumni i Nderit” që më ndan sot Universiteti i Prishtinës është një nder i jashtëzakonshëm, por edhe një rikthim emocional në burimin e idealit tim.

Është një falënderim për profesorët e mi, ata që më më formësuan, ata të cilët më sfiduan të mendoj ndryshe, ata që më mësuan të mos dorëzohem para asnjë vështirësie.

Është edhe një përqafim i ngrohtë për të gjithë studentët, të cilët ecin nëpër të njëjtat korridore, me të njëjtin pasion e me të njëjtin ideal: ta bëjnë Kosovën më të mirë me dije dhe përkushtim.

Universiteti i Prishtinës është zemra akademike e shtetit tonë, themeli mbi të cilin ndërtojmë të ardhmen. Çdo sukses individual i yni është një reflektim i suksesit të këtij institucioni që na mësoi të mendojmë lirshëm, të punojmë me përkushtim dhe të shërbejmë me dinjitet.

Në auditorët e sotëm të Universitetit të Prishtinës, po formësohet ardhmëria e Kosovës, një brez i ri qëvepron me guxim dhe me të drejt synon edhe më lart. Pikërisht këta studentë janë ambasadorët më të mirë të Kosovës në botën e dijes, e dëshmia më e bukur se shteti ynë ka potencialin dhe vizionin për të ecur përpara. Sepse një komb që nderon dijen, nuk ka asnjëherë pse të frikësohet nga e ardhmja.

Guxim treguan gjenerata të tëra para nesh, kur luftuan për lirinë për të mësuar, për tu shkolluar e për të lexuar në gjuhën tonë. Guxim treguan studentët kur ju prinëprotestave për lirinë e Kosovës, duke dëshmuar se rruga e dijes dhe rruga e lirisë janë pashmangshëm tëlidhura me njëra tjetrën. Guxim treguan profesorë e studentë që udhëhoqën lëvizjen paqësore për liri e pavarësi e ata që ndërtuan shtëpitë-shkolla, dukëdëshmuar se edhe në rrethana okupimi asnjëherë nuk hoqëm dorë nga beteja për të menduar, mësuar e vepruar lirshëm. Guxim treguan edhe ata profesorë e studentë që iu bashkuan Ushtrisë Clirimtare të Kosovës duke u shndërruar në emblemë të lirisë sonë por edhe emblemë të këtij Universiteti. Shumë e shumëgjenerata dhanë gjithçka, në mënyrë që sot mësimi nëkëto auditoriume mos të jetë i përcjellur me dhunë, frikë, e mohim të të drejtave, por të jetë reflektim i mëtë vlefshmes, më sublimes: lirisë.

Prandaj sot e cdo ditë, le ta vlerësojmë e gëzojmë këtë liri duke punuar pandalur që Universiteti i Prishtinës të ngritet në piedestalet më të larta. Ashtu sic e ngritën studentët e garës VIS moot duke u rradhitur të tretit në botë, ashtu sic e ngrisin e nderojnë cdo ditë shkencëtarë, muzicientë, inxhienierë, juristë, ekonomistë, politolog e shumë e shumë të tjerë. Le të vazhdojë të jetë ky ideal i yni i përbashkët. Ideal që nuk përmbanë në vete vetëm të drejtën në arsim, por edhe vetë idealin e lirisë.  

Faleminderit nga zemra Rektorit dhe gjithë komunitetit akademik të Universitetit të Prishtinës për këtë vlerësim të veçantë!

Ky çmim është një kujtesë se rrënjët e çdo arritjeje fillojnë pikërisht në vendin ku për herë të parë kemi guxuar të ëndërrojmë dhe aty ku për herë të parë është ndezur drita e dijes. Faleminderit!

Platforma e e-Karrierës dhe Alumni është mbështetur nga Transformational Leadership Program – Scholarships and Partnerships, që financohet nga USAID dhe Ministria e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë dhe implementohet nga World Learning.